Të gjitha Artet i ka paraqitur me një Mjeshtëri të rrallë sa s’ka se si të bëhet më mirë dhe të gjitha gjallesave i ka krijuar kushtet e jetesës. Punët e mira i ka stimuluar dhe i ka përmirësuar edhe më tej, kurse ato të këqijat i ka fundosur si nuk ka më keq. Që nga koha e Babait tonë Ademit dhe këtej, të gjithë popujve mizorë dhe tiranë u ka dhënë dënime të fuqishme dhe të rënda, gjë që tregon se Ai e ka paraqitur Veten se është i Fortë dhe Fuqiplotë i Pafundëm. Është e qartë si drita e diellit se Ai zotëron një Drejtësi të Kulluar dhe nuk të lë dyshim për Diturinë e Tij të Pastër. Drejtësia e Tij na përgjigjet me Emrat e Bukur, “Hakim”, “Hakem”, “Adl”, dhe “Adil”, që të kujtojnë Ringjalljen dhe jetën e lumtur e të përjetshme. Ai nuk lejon që i shtypuri dhe mizori të ndahen si të barabartë nga kjo botë dhe nuk ka se si, që në jetën tjetër, të mos i japë shpërblimin dhe dënimin e merituar secilit sipas punëve që ka kryer në këtë jetë. Si jo më mirë këtë tregim e dokumentojnë Emrat e Bukur (Esma ul-Husna). Meqenëse të gjitha krijesat arrijnë t’i plotësojnë kërkesat nga vendi ku nuk zgjatet dot dora e tyre, gjendjet e tyre që shpallin nevojën,konsiderohen si një lloj lutje ndaj Krijuesit. Ai i dëgjon me vëmendje dhe me anë të një dore të fshehtë, i plotëson në kohën e duhur. Veçanërisht krijesat e vetëdijshme që kërkojnë me gjithë zemër dhe kryesisht lutjet e personave të veçantë, si të profetëve, me çdo kusht pranohen. Nga kjo kuptohet se prapa perdes Njëri është duke dëgjuar. Ai është,Semi’ë dhe Muxhibë, që i dëgjon dhe i pranon zërat më të dobët dhe krijesat më të vogla. E shikon pra se lutjen dhe dertin e çdo nevojtari e dëgjon Mëshiruesi i Plotmëshirshëm dhe e pranon? Ai duke iu përgjigjur me vepra konkrete, krijesat e Veta i gëzon jashtë mase. Nga këto tregime duhet ta kuptosh se në përfundim të lutjes së Muhammedit (a.s.), bëjnë "Amin" të gjitha krijesat e vyera dhe profetët. Këto lutje kanë kontakt me tërë Gjithësinë dhe funksionet e Emrave të Bukur, që bëjnë të nevojshëm pranimin e saj. Çdo ditë secili besimtar disa herë me rradhë i këndon "salavatë" atij. Lutjes së tij i bëjnë "Amin, Amin!" dhe ndoshta të gjitha krijesat e botës janë duke thënë: "O Zot, jepja atë që kërkon! Edhe ne i bashkohemi lutjes së tij. Ai brenda kushteve të panumërta, kërkon lumturinë e përjetshme, gjë që nuk mund të përjashtohet kurrë!" Janë të shumta arsyet që e bëjnë të domosdoshme Ringjalljen. Është e mjaftueshme vetëm lutja e Profetit Fisnik (a.s.), për ekzistencën e xhennetit dhe të jetës së mbrapme, sepse krijimi i tyre për Fuqinë e All-llahut xh.sh. është i lehtë si krijimi i një pranvere. Emrat e Bukur, Semi’ë, Muxhib, Rrahim, iu përgjigjen pyetjeve tona. Me qartësinë që duket dielli, në faqen e tokës që shndërrohet çdo ditë, me vdekjen dhe ringjalljen e përjetshme, duhet ta kuptojmë se prapa të gjitha këtyreve ka një Shpenzues të Fuqishëm. Fuqia Madhështore e Tij, me një rregullsi të përkryer, me të treqindmijë llojet e bimëve dhe të kafshëve, krijon me një lehtësi të çuditshme dhe i përshkruan sikur të ishin libra.