Në këtë çast besimi në një jetë tjetër i vjen në ndihmë, duke ia shndritur jetën dhe kohën e zymtë si varr, ia shndërron në një hapësirë të pafund, ku përfshihet e kaluara dhe e ardhmja, ndoshta sa ekzistenca e të gjithë sipërfaqes, apo e tërë gjithësisë. Besimi në jetën tjetër atij i thotë se babai nuk i është zhdukur, por jeton në botëra të tjera në jetën e lumtur. Me të do të bashkohesh. Vëllai yt përjetësisht do të jetë me ty. Gruaja jote do të takohet në xhennet me ty, bile nga plakë që ka qenë, atje do të shndërrohet në një Huri të xhennetit. Me këtë besim, me lutjet dhe mëshirën tënde, ti më shumë i nderon dhe i ndihmon ata, si dhe për vete do të ruash kontaktet me ato vende, duke mos i humbur. Dobitë e vogla dhe të pavlera nuk e humbasin nderimin dhe respektin dhe me sukses fiton ndaj tyre, duke i rritur dhe përsosur cilësitë e tua. Në këto kushte arrin në lartësitë e duhura të njeriut. Ky njeri, me mendimin e natyralistëve, që nuk shijon as sa zogu i malit nga kënaqësitë e kësaj jete, me anë të besimit do të bëhet një mysafir i zgjedhur dhe i lumtur, si dhe një rob i dashur i Zotit xh.sh. të gjithësisë. Përfundimet e besimit janë sqaruar mjaft në librat e Risale-i Nurit, prandaj nuk po vazhdojmë më tutje.
E katërta, këtu do të sqarojmë një dobi të besimit, që është përmendur te "Shkëlqimi i nëntë". Një e katërta e racës njerëzore, përbëhet nga fëmijët. Këta vetëm kur të besojnë tek jeta e përjetshme, atëhere mund të jetojnë dhe mendojnë si njerëz. Në të kundërt, me lodrat e fëmijërisë, do të mundohen ta harrojnë vdekjen, të shkëputen nga pesimizmi dhe ta vënë veten në gjumë duke bërë një jetë të çrregullt. Me humbjen e shokëve të tyre moshatarë, për shkak të zemrës së tyre të dhimbshur dhe mendjes së hollë, në shpirtin e pafuqishëm do t’u çelet një plagë e thellë. Në këtë rast mendja e tij e pafe bëhet një mjet ndëshkimi, por kur të arrijë dhe të besojë në jetën e lumtur, pikërisht ky fëmijë i dhënë pas lodrave fëmijërore, do t’i hedhë poshtë ato, duke mos vrapuar pas lodrave, për të mos e ndjerë hidhërimin dhe do të thotë: "Oh, paska edhe një jetë tjetër. Vëllai (apo shoku), që më ka vdekur, tani është bërë shpend i xhennetit. Ata janë akoma më mirë se ne, se shëtisin dhe bëjnë qejf. Nëna më vdiq, por nuk ka shkuar në vend të keq. Ajo tani është pranë Mëshirës së Zotit xh.sh. dhe po më pret mua, që të më marrë në prehër, kur të takohemi në parajsën e lumtur. Nënën dhe miqtë e mi unë përsëri do t’i shoh”.
Edhe pleqtë zënë po një të katërtën pjesë të njerëzimit. Ata janë më të pashpresët, sepse iu ka ardhur koha e shuarjes së jetës, për të hyrë në dheun e zi. Pas ca kohe, për ta do të mbyllet dera e kësaj bote, të cilën e kanë ditur si më të mirën, më të dashurën dhe më të bukurën. Për të shmangur këto shqetësime, pleqtë mund të gjejnë ngushëllim vetëm tek besimi në jetën pas ringjalljes. Kështu këta baballarë të ndershëm,të mbushur me mëshirë dhe dhimbshuri të thellë, këto nëna zemërmira dhe të dashura, do të vuajnë nga pikëllimi dhe hidhërimi dhe jeta do t’u kthehet në një torturë të madhe. Kjo botë për ta do të jetë si një burg i pashpresë.