I pari, para dymbëdhjetë vjetësh dëgjova se një i pafe inatçor, ka bërë një atentat të tmerrshëm. Ai duke filluar përkthimin e Kur’anit, ka thënë se: "Kur’ani duhet të përkthehet, sepse në këtë mënyrë kuptohet se përsëritja e tij është e panevojshme. Ai nuk duhet të këndohet më, por vetëm të lexohet përkthimi i tij”. Kurse Risale-i Nur, me fakte të pamohueshme, ka theksuar se, përkthimi nuk mund të jetë kurrë i saktë. Ai duhet të shpjegohet me anë të komenteve, sepse nuk ka asnjë mundësi të përshtatet në gjuhët e tjera. Asnjë gjuhë tjetër nuk mund të zëjë vendin e gjuhës arabe.
Si mund ta përkthenim atë, kur e dimë se vetëm një shkronjë e Kur’anit ka vlerat e dhjetë sevapeve njëherësh, bile deri në njëmijë. Veç kësaj, si mund të krahasohen dhe barazohen shkrimet e njeriut me ato të Kur’anit, shprehjet e të cilit janë një Mrekulli e Zotit xh.sh.. Në këtë mënyrë, Risale-i Nur, me fakte konkrete i ka përmbysur iluzionet e sëmura të këtij sharlatani dhe ia ka plasur “minën” në duar, pa e lënë që të futet nëpër xhami. Ka akoma nga ata majmunë, që kanë marrë mësime prej tij, që me frymën e shejtanit mundohen si fëmijët të shuajnë diellin.
I dyti, pasi u lirova nga burgu i Denizlisë, u vendosa në një nga katet e sipërme të një hoteli të posaçëm, që ndodhej aty. Para meje shtriheshin kopshte të bleruar, të rrethuar me plepa të dendur, njëlloj sikur uleshin besimtarët e devotshëm për të bërë zikër (të përmendnin Zotin e tyre). Frynte një fllad i hollë që lëkundte gjethet, të cilat kur preknin degët, lëshonin një fëshfërimë, që të kujtonte vetminë dhe ndarjen nga shokët dhe vëllezërit e mi.
Kjo fëshfërimë më preku dhe më pikëlloi thellë në zemër dhe më solli ndërmend stinët e vjeshtës dhe të dimrit, që do t’i rrëzojë gjethet përdhé, duke i flakur në mënyrë të pakujdesshme. Sa shumë m’u dhimbsën këta plepa, gjethet e të cilëve merrnin trajta dhe forma të lloj-llojshme, saqë më kujtonin humbjet dhe ndarjet, që fshihen prapa perdes së praruar të kësaj gjithësie.