E treta: E dimë se çdo njeri ka dëshirë ta përjetësojë dhe mbrojë veprimtarinë e tij me anë të vjershave, romaneve, mbase edhe të filmave. Veçanërisht kur ajo vepër përmban vlerat e frutave të xhennetit, atëhere interesimi për të është akoma më i madh. Për këtë arsye, melektë: “Kiramen katibin” (sekretarët fisnikë), regjistrojnë veprimet e njerëzve, që këto vepra më vonë, t’i sodisim si pejsazhe të përjetshme duke fituar dhuratat e merituara.
Melektë për të mos humbur asgjë nga veprimtaria e njerëzve dhe për të regjistruar gjithçka, u rrinë atyre mbi supe. Duke menduar për këtë mirësi të tyre, unë u çmenda nga gëzimi. Gjatë jetës time shoqërore, armiqtë më kanë larguar nga dashamirët, librat dhe shokët që më shërbenin, dhe prej çdo gjëje tjetër. Në mes të gjitha dëmeve që pata në internim e kurbet, në një gjendje të rëndë shpirtërore, sikur të më ishte përmbysur e gjithë bota, pikërisht në këtë kohë më erdhi në ndihmë ekzistenca e melekëve. Në këtë çast më shndriti gjithçka që më rrethonte dhe e ndjeva veten në një botë tjetër të lumtur. M’u kujtuan mosbesimtarët, ideja e të cilëve lëkundet në mes të vrazhdësisë së egër dhe shterpësisë së errët. Imagjinata ime duke shijuar këto frute të këndshme të besimit, m’u shfaqen frutet që shijojnë profetët. Kur e kuptova besimin tim tek profetët e kohës së kaluar, atëhere ky besim ma shndriti të gjithë të kaluarën dhe gjendjen shpirtërore ku ndodhesha. Atëhere hapësira e gjerë, m’u shfaq e gjitha, kur arriti besimi në profetin Hz. Muhammed (a.s.). Kjo e vërtetë ua mbylli gojën “shejtanëve” të mi. Në këtë moment më ra në kokë një pyetje, që e kam trajtuar në "Shkëlqimin...", që titullohet HIKMETUL-IZTIADHE (Dobia e mbështetjes tek Zoti, për t’iu ruajtur dëmeve të shejtanit...).
Besimtarët, duke pasur ndihmën e Mëshirës së All-llahut xh.sh.,kanë pasur fatin të shijojnë frutat e ëmbla të të mirave të pallogaritura të besimit, kurse mosbesimtarët shpesh herë po dalin të mundur. Kur mu kujtua kjo gjë, e kuptova se për ç’arsye All-llahu xh.sh., u jep këshilla besimtarëve me anë të Kur’anit, që të mbështeten tek Krijuesi i tyre, duke dërguar melektë, për të na ruajtur nga nxitjet e veseve të shejtanit. Atëhere pse besimtarët po munden?
Përgjigjen e kësaj pyetje e ka dhënë Risale-i Nur, por përsëri do të jap edhe një shënim të vogël:
E zëmë se një pallat të bukur, me vështirësi e kanë ndërtuar njëqind ndërtues dhe tinëzisht këtë pallat mund ta shkatërrojë një keqdashës brenda një ore. Për ta ruajtur nga djegia e këtij maskarai, nuk mjaftojnë as njëqind roje. Këtë pallat mund ta ruash vetëm me ndihmën e shtetit, sepse po nuk pati mbrojtje të sigurtë, ky pallat nuk mund të ekzistojë.