Po të mendosh këto, atëhere jo të hidhërohesh, por sipas forcës së besimit, mund ta shijosh edhe këtë jetë. Po të gjykosh kështu edhe hidhërimi nuk do të duket kaq i hidhur dhe i tmerrshëm dhe duke kthyer sytë nga e ardhmja, ajo do të jetë e bukur sikur do të shkosh për të jetuar në pallate të lumturisë, tek Mëshira e një Fisniku, që pranverën dhe verën na i shtron si një sofër mirësie të larmishme. Vetëm Ai është Mëshirëploti i Dhimbshur, që çdo gjë na e shtron dhe ekspozon si jo më mirë. E kupton tani që kinemaja e besimit të tregon se do të transferohesh, sipas shkallës së besimit në botën e përjetshme dhe të lumtur dhe përnjëherë edhe këtë botë mund ta shijosh? Kështu e kuptove se lumturia e vërtetë dhe pa hidhërime është në vlerat e besimit dhe në mbështetjen tek Ai. Për të vërtetuar se besimi edhe në këtë jetë njeriut i garanton dobi të pafundme po japim një shembull:
Djalit tënd të vetëm po i afrohet çasti i vdekjes. Kur t’i e ke humbur shpresën, pa pritur vjen një mjek si Hizri apo Dr. Llukmani dhe i jep atij një ilaç shumë të efektshëm. Djali yt i dashur befas çel sytë dhe shpëton nga vdekja. Gëzimi yt në atë çast arrin në kupë të qiellit. Pra si ky djali yt, miliona njerëz që ke dashur dhe je interesuar për të mirën e tyre, me mosbesimin tënd ke menduar se të gjithë po shkojnë në varr, drejt asgjësimit, duke u kalbur nën dhé, për të mos u kthyer kurrë më. Në çastin kur je në këtë gjendje shpirtërore, të vjen në zemër e vërteta e besimit, siç erdhi Dr. Llukmani dhe atëhere në shpirtin tënd, nëpërmjet gropës së varrit të çelet një dritare me shumë dritë. Përnjëherë ata duket sikur ngjallen dhe të thonë: "Ne nuk kemi vdekur dhe nuk do të vdesim...” Edhe vetë mund ta kuptosh se besimi edhe në jetën e sotme të gëzon shumë. E vërteta e besimit është një farë, që po mundi të materializohet, prej saj shfaqet për ty një parajsë e veçantë dhe ajo rritet si një pemë e Xhenetit. Unë kështu iu përgjigja përfaqësuesit të të pafeve, kurse ai m’u kthye në këtë mënyrë: "Mbase do të mbetem i pashpresë që të vazhdoj jetën tjetër, duke mos menduar për këto çështje të holla, po e kaloj jetën si një kafshë. Po shijoj dhe përfitoj nga të mirat e kësaj bote njëlloj si kafsha, pa dalluar se cila është hallall dhe cila haram”.
Duke ia larguar shpresën i ktheva këtë përgjigje: "Si kafsha nuk mund të kthehesh, sepse ajo nuk ka as të kaluar as të ardhme. Atë asnjëra nga të dyja, as e hidhëron dhe as e frikëson, pa mangësi dhe në rehati jeton dhe shijon çdo gjë, duke falenderuar Zotin xh.sh.. Kafsha kur ta shtrijnë për ta prerë nuk ndjen dhimbje, ndjen vetëm frikën e prerjes e të thikës. Mëshira më e madhe e Zotit xh.sh., qëndron pikërisht në faktin që nuk e tregon të fshehtën se ç’ka do të vijë mbi kokë.