E vetmja zgjidhje, i vetmi ilaç dhe bar shërues i sukseshëm për këto dy sëmundje shoqërore është braktisja e kamatës në tërësi me bindje të plotë se ajo është e dëmshme për shoqërinë njerëzore.
Shoqëria Islame ta jep zeqatin duke e kuptuar si obligim të domosdoshëm, sepse dhënia e zeqatit nuk është çështje e disa personave ose xhemateve, por ajo është një shtyllë e rëndësishme për jetën e lumtur mbarë shoqërore. Madje zeqati është shtylla mbi të cilën qëndron vazhdimësia e jetës së lumtur njerëzore.
Njerëzit janë dy shtresa:
Ajo e të pasurve dhe të varfërve. Dhënia e zeqatit është shpresa e mëshirës dhe e mirësisë nga të pasurit tek të varfërit dhe garanton nderin dhe respektin e të varfërve ndaj të pasurve.
Në të kundërtën, nga ana e shtresës së lartë do të ushtrohet dhunë dhe presion ndaj të varfërve dhe shtresës punëtore, e nga kjo do të lindë mosdëgjueshmëria dhe urrejtje ndaj të pasurve. Kështu do të fillojë së pari urrejtja, mosmarrëveshjet dhe kundë-rshtimet mes dy shtresave deri atëherë kur mosmarrëveshjet të thellohen dhe të arrijnë në përleshje fizike mes punëtorëve dhe kapitalistëve, ashtu siç ndodhi në Rusi.
O vëllezër fisnikë dhe bujarë, ju që keni ndërgjegje Islame. O ju dorëlirë dhe bëmirës! Nëse ju dhënien e pasurisë suaj nuk e bëni në emër të zeqatit dhe për hirë të All-llahut, ajo do të shkojë kot dhe nuk do të keni kurrfarë dobie nga ajo që keni dhënë, bile do të keni tre dëme.
Pasi që ju atë nuk e jepni në rrugë të All-llahut dhe për hirë të tij, atëherë ju padyshim nga i varfëri do të kërkoni mirënjohje dhe atë do ta ngulfatni dhe do ta lidhni me prangat e robërisë sepse për atë e keni ndihmuar.
Kështu, ju do të humbni të drejtën e lutjes së tij të sinqertë për ju. Pos asaj, ju kështu do të mohoni të mirën e Zotit që ai ua ka dhënë duke menduar se ju jeni pronarë të pasurisë që posedoni ndërsa në realitet ju jeni vetëm se zëvendës dhe jeni të urdhëruar që të bëni ndarjen e pasurisë së Zotit tek robërit e tij.
Ndërsa, kur e bëni të mirën në emër të zeqatit dhe për hirë të All-llahut, do të fitoni shpërblime të mëdha, sepse e keni bërë në emër të Zotit dhe me këtë i shprehni falenderim All-llahut për të mirat që Ai ua ka dhënë juve. Poashtu do të përfitoni lutje të sinqertë nga i varfëri, nevojtari i cili nuk druan se duhet të jetë mirënjohës ndaj juve.
Kështu edhe ai do të ruajë nderin e vet, andaj do të lutet sinqerisht nga thellësia e zemrës për ju.