LETRA E NJËZETEDYTË | LETRA E NJËZETEDYTË | 21
(1-27)

1) Të përhapurit e dashurisë dhe paqes në radhët e besimtarëve është bëmirësi dhe fisnikëri e besimtarit, në të cilën ai ndjen kënaqësi dhe pushim shpirtëror, nëpërmjet së cilës i kujton shpërblimet e botës së amshueshme. Kush e përcjell atë me vëmendje, lehtë e kupton.

Në të kundërtën, nxitja e armiqësisë në mesin e besimtarëve është mëkat dhe punë e shëmtuar, e keqja e vret ndërgjegjen dhe ndëshkon sa që përjeton shqetësim të zemrës dhe të shpirtit të tij. Çdonjëri që sadopak ka ndërgjegje, e shijon vuajtjen dhe ngushtimin shpirtëror.

Gjatë jetës time jam sprovuar mbi njëqind herë me këtë lloj vuajtje. Çdo herë kur kam menduar të armiqësohem me ndonjë vëlla musliman, kam shijuar dënimin e asaj armiqësie derisa jam bindur se ajo vuajtje që përjetoj është dënim për shkak të mëkatit që kam bërë, andaj dënohem dhe ndëshkohem për atë.

2) Nderimi dhe respektimi që u bëhet atyre që meritojnë nder dhe respekt, ngrohtësia dhe mëshira që u afrohet atyre që u takon, është vepër e mirë për besimtarin. Nga kjo mirësi ai gjenë kënaqësi shpirtërore dhe qetësimin e ndërgjegjes saqë për hirë të saj njeriu ndonjëherë është në gjendje të sakrifikojë edhe jetën e vet. Shikoni se sa kënaqësi përjetojnë nënat duke u kujdesuar (mëshiruar) për foshnjet e tyre saqë janë në gjendje që për mbrojtjen e tyre të rrezikojnë edhe veten.

Këtë të vërtetë qartë e shohim edhe tek bota shtazore, p.sh. pula mer guxim që ta sulmojë luanin për t’i mbrojtur zogjtë e vet.

Pra, për mëshirën ka shpërblim të pavonuar, këtë kënaqësi e përjetojnë ata që kanë shpirtgjërësi dhe ndërgjegje të pastër.

3) Shpirtngurtësia dhe koprracia sjellin ndëshkim psikik ku njeriun e bëjnë të shqetësuar në jetën e tij. Kurse dënimi i zilisë dhe i egoizmit është më i shpejtë dhe më i rëndë saqë zilia djeg vetë ziliqarin para çdokujt tjetër. Ndërsa, ai që kënaqet me atë që e posedon dhe ka mbështetje të plotë në Zotin, ai shpërblehet me kënaqësi shpirtërore dhe nuk brengoset për asgjë.

4) Vetmashtrimi dhe mendjemadhësia janë një barrë e rëndë për njeriun, saqë ai shqetësohet dhe e mundon gjendja e mirë e të tjerëve ndërsa në të njejtën kohë ai pret prej tyre që ata ta nderojnë dhe respektojnë.

Mirëpo nderi dhe respekti dhurohet e nuk kërkohet.

5) Kur njeriu i shmanget vetmashtrimit dhe mendjemadhësisë dhe bëhet modest, atij i dhurohet sinqeriteti dhe modestia të cilët e shpëtojnë nga barra e vetpëlqimit dhe vetmashtrimit.


Nuk ka ze