Perveç besimit të vërtetë tek Zoti i Plotfuqishëm, ilaç tjetër vështirë se gjen. Pastroje trurin prej bindjeve të gabuara dhe besimeve të ndryshme që të kanë shtyrë në një rrugë dhish pa krye nga ku s’del dot. Në rast se sëmundja jote e shpërndan frymën e pakujdesisë dhe ti e gjen ilaçin duke parë nga dritarja e dobësisë dhe varfërisë tënde, patjetër që në këtë rast do të vëresh Mëshirën e një Fuqiploti Ngadhnjimtar.
Kush nuk beson tek All-llahu, atij i
mblidhen të gjitha fatkeqësitë e kësaj bote. Kush e njeh dhe e beson Atë, jeta e tij do të jetë plot gëzime të shndritshme. Ky gëzim do të ndihet sipas shkallës së besimit. Gëzimi i besimit shpirtëror e shkrin dhimbjen dhe hidhërimin e sëmundjeve.
KURA E NËNTË
O ti i sëmurë që e njeh Zotin!
Frika e sëmundjes në trupin tënd më tepër është frika ndaj vdekjes, sepse sëmundja po bëhet shkak për vdekjen. Po ta shikosh pa u thelluar dhe drejtpërdrejt, vdekja të duket e tmerrshme. Duke e kujtuar atë të zë paniku.
Së pari bindu dhe beso plotësisht, sepse fundi i jetës (exheli) ka kohën e caktuar dhe nuk tjetërsohet. Shumë të afërt që kanë vajtuar tek koka e ndonjë të sëmuri ka ndodhur që kanë vdekur bile shumë kohë më parë se i sëmuri i tyre. Ata që kanë lënguar e kanë gjetur ilaçin e efektshëm dhe kanë vazhduar jetën.
Së dyti vdekja nuk është aq e tmerrshme sa duket. Në shumë shkrime të tjera, të para nën dritën e Kur’anit Famëlartë, kam theksuar se për besimtarët vdekja është një lehtësi, që e çliron nga detyrimet dhe angazhimet e rënda të kësaj jete.
Në sheshin e kësaj bote plot sprova dhe vështirësi, vdekja është një pushim. Ajo është një shkak për t’u takuar me të afërmit dhe dashamirët, që nëntëdhjetënëntë për qind, kanë ikur më parë.