KURA E TREMBËDHJETË
O ti i sëmurë që vazhdimisht ankohesh !
Sëmundja për disa është një thesar i vërtetë. Ajo është një dhuratë Hyjnore. Çdo njeri, kështu duhet të përfytyrohet dhe jo ndryshe. Meqenëse koha e vdekjes nuk është e ditur, All-llahu xh.sh., për ta shpëtuar njeriun nga pakujdesia dhe mungesa e shpresës e vendos atë në një pozicion midis frikës dhe shpresës. Këtë pozicion njeriu duhet ta ruajë për të garantuar këtë jetë dhe atë të përjetshme. Zoti me Dituritë e Tij të Mrekullueshme e ka bërë të fshehtë vdekjen dhe ajo mund të vijë befasisht nga njëri çast në tjetrin. Po qe se vdekja e gjen njeriun në momentet e pakujdesisë, kjo e dëmton rëndë Jetën e Paskajshme. Pikërisht sëmundja e shpërndan pakujdesinë dhe i çon në mend njeriut Jetën e Mëvonshme. Ajo i bën vërejtje atij, që të mos e braktisë faljen e namazit. Zoti e këshillon njeriun ta vazhdojë jetën duke i dhënë rëndësi të veçantë shërbimit fetar.
Dy nga shokët tanë Zoti i Mëshiroftë! Ishin dy djem të rinj, Sabriu nga Ilama dhe Vezirzade Mustafa nga Ýslamköy. Këta dy djem edhe pse s’kanë ditur të shkruajnë, na kanë ndihmuar me sinqeritet në shërbim të besimit islam. Ata mbanin vendin e parë në këtë shërbim.
Sekretin e kësaj pune nuk e dija. Pas vdekjes së tyre mësova se të dy kishin pasur nga një sëmundje të rrezikshme. Të nxitur nga sëmundja e tyre ata falnin namazin me devotshmëri, kurse shokët e tyre e kishin braktisur atë. Ata e vazhdonin jetën duke i dhënë rëndësi të posaçme shërbimit fetar; ishin të gatshëm siç e kërkonte rasti për jetën e përjetshme. Inshaall-llah dhimbja e tyre që vazhdoi dy vjet, të jetë shkak për t’u shpërblyer me mijëra kënaqësi në Jetën Tjetër. Unë për ata kisha bërë dua që të shërohen. Tani e pranoj se lutjet e mia për këtë jetë ishin bërë mallkim. Inshaall-llah pranohen për Jetën tjetër të paskajshme.