KURA E TETËMBËDHJETË
O ti i sëmurë që ke lënë falenderimet dhe ke filluar të ankohesh!
Sa ke humbur prej hakut që të takon, aq duhet të ankohesh. Por në të vërtetë, ty asgjë nuk të ka humbur. Bile ti ke përfituar më shumë se sa duhet dhe s’ke bërë asnjë falenderim. All-llahut nuk ia ke kthyer ende borxhin që të takon dhe ke guximin t’i kërkosh hakun tënd, kur nuk e ke fare. Nuk ke pse t’u bëhesh zili njerëzve të shëndoshë dhe të ankohesh tek All-llahu ndaj tyre. Duke falenderuar duhet të vështrosh se njerëzit që janë më poshtë teje, janë të sëmurë dhe më të pafat se ti. Po pate një dorë të thyer, shiko atë që i ka të dyja të prera. Po pate një sy të verbër, shiko atë që i ka të dy të verbuar dhe falendero Zotin! Pra, për t’u ankuar nuk ka askush të drejtë të vështrojë atë që qëndron më lart se vetë. Për të bërë një vlerësim real duhet t’i referohesh asaj shtrese që është më poshtë se ti dhe e kalon jetën më me vështirësi. Ky kuptim domethënës është sqaruar shkurtimisht më poshtë.
Një pasanik mori një njeri dhe e hipi në majë të minaresë. Në secilën shkallë që ngjiste jepte nga një dhuratë për mirëbesimin midis tyre. Në shkallën e fundit i jep një dhuratë edhe më të madhe. Bamirësi, për atë që bëri priste mirënjohje dhe falënderime. Lakmitari harroi se çfarë mori dhe as që e çau kokën të falenderonte me mirënjohje, por përkundrazi hedh sytë më lart duke thënë: "Sa e ultë! Ah sikur kjo minare të ishte më e lartë se ajo përballë! Të paktën të ishte e lartë gjer tek maja e atij mali!"
Kjo ankesë, kjo sjellje e padrejtë është një çmenduri e madhe. Zoti e ka krijuar këtë njeri prej asgjëje. Mund ta bënte edhe gur edhe dru, edhe kafshë, por e bëri njeri. Për të fituar qetësinë shpirtërore dhe jetësore si mysliman, i ka dhënë shëndet për një kohë të gjatë.