KURA E TRETË
O ti i sëmurë i padurueshëm!
Njeriu nuk ka ardhur në këtë jetë vetëm për të bërë qejf dhe të majmet. Këto fjalë vërtetohen nga ata që kanë qenë të rinj dhe tani janë plakur. Tani ata po vërtiten pranë ndarjes nga kjo jetë. Njeriu, duke qenë një nga krijesat më të përsosura dhe mbreti i të gjitha krijesave të tjera, kur kujton brengat dhe hidhërimet, bukurinë dhe lumturinë, bie më poshtë se kafshët. Ai jeton me vështirësi, duke provuar vuajtje dhe pikëllime.
Domethënë: Njeriu nuk ka ardhur në këtë botë vetëm për të jetuar mirë në mes të kënaqësive, por patjetër ka ardhur që këtë kapital jetësor që e zotëron, ta përdorë për një tregti të levërdisshme dhe për të siguruar jetën e Amëshuar.
Po qe se njeriu nuk kalon sëmundje, shëndeti i mirë e shtyn në pakujdesi dhe ka mundësi që për këtë arsye, të humbasë provimet e kësaj jete. Duke lakmuar këtë jetë ai harron Jetën e Përjetshme.
Për vdekjen dhe varrin nuk mendon dhe as që do t’i kujtojë. Shëndeti i mirë e shtyn ta kalojë jetën në ambiente qejfi dhe tundimi. Sëmundja njeriut i çel sytë. Trupi i tij i ciflitur dhe i dobët i thotë: "Çfarë kujton ti, se je një krijesë e pavdekshme? Nuk je aq kokëbosh, sa të mos e kuptosh se ke një detyrim. Hidhe poshtë kryelartësinë dhe kujto Atë që të ka krijuar! Duhet ta dish se një ditë do të kthehesh në varr. Bëhu gati për këtë, se të pret!". Duke e parë në këtë këndvështrim, sëmundja nuk është një mashtruese, por këshilluese dhe udhërrëfyese. Ajo të paralajmëron dhe ti nuk duhet të ankohesh prej saj, por ta falenderosh. Po qe se e ke të rëndë të durosh, kërko durim prej Zotit xh.sh.!