pambrojtur dhe i dha mundësi armikut që ta shkatërrojë plotësisht. “Më pas vazhdova: "Vëlla i dashur! Ti mos vepro si ky komandant! Forcën që të jep durimi, mos e shpenzo, por ruaje deri në fund! Mos harro Mëshirën e Zotit Mëshirëplotë dhe kujto shpërblimin e jetës së Amëshuar! Duro! Dije se këtë jetë të përkohshme dhe të shkurtë, e ke këmbyer me jetën e gjatë dhe të lumtur të pasvdekjes. Në vend që të qash, gëzohu dhe falendero!" Duke dëgjuar fjalët e mia ai tha: "Elhamdulil-lah! Sëmundja ime nga dhjetë fish, ra në një".
Pika e pestë
Kjo pikë përmban tre çështje:
E para, fatkeqësia më e madhe dhe e vërtetë është mosbesimi, mospërjetimi i fesë që është një dëm kolosal me të gjitha të këqijat që rrjedhin prej tij. Për t’iu shmangur kësaj fatkeqësie duhet të mbështetemi tek Zoti xh.sh. i Madhërishëm. Për rastet kur këto fatkeqësi nuk e dëmtojnë fenë, ato nuk duhen quajtur të rëndësishme, por paralajmëruese të të Madhit Zot. Si për shembull kur dhentë hyjnë në arën e huaj, çobani i gjuan me gur. Ata kuptojnë se duhet të largohen nga dëmi dhe të gëzuara kthehen në kullotën e lejuar.
Edhe ti o njeri, nuk duhet të jesh më i paarsyeshëm se kafsha. Dihet se shqetësimet janë nga një paralajmërim i Zotit xh.sh.. Disa fatkeqësi Zoti na i ka dhënë për të na zgjuar nga gjumi i pakujdesisë dhe që të pranojmë para Tij varfërinë dhe dobësinë tonë. Mos harro se jemi para Hyjnisë së Tij. Një pjesë e sëmundjeve, siç kam thënë më lart, nuk janë për t’u ankuar, por sigurisht që ato janë si një dhuratë e Zotit. Ato shërbejnë si një pastrim i trupit, i mendjes dhe i shpirtit dhe jo si ankesë. Ty të shërbejnë dhe e ke për detyrë që të falenderosh. Në hadithin e Pejgamberit a.s. është theksuar: "Kur e shkund një pemë të pjekur prej saj do të bien frutat. Po kështu edhe besimtarët myslimanë, kur dridhen nga ethet, rrëzojnë mëkatet e tyre".