Domethënë, duke marrë parasysh vdekjen, duhet të jesh i pari në shërbime, për të fituar dashurinë e All-llahut, por kur vjen koha për shpërblim ti duhet të jesh i fundit.
Hapi i tretë. Ajeti:
“Çfarëdo e mire që vjen është nga All-llahu, e çka të ndodhë nga ndonjë e keqe është nga vet ti.” (Nisa, 79) na jep mësimin e duhur duke thënë se nefsi, veset dhe dëshirat e këqija të njeriut, të shtyjnë të lavdërohesh dhe të mendjemadhësohesh vazhdimisht. Njeriu nuk duhet të mendojë se çdo punë të mirë që ka bërë e ka nga vetvetja, por ai duhet të dijë se në karakter është i varfër e i dobët dhe çdo mirësi dhe të gjitha të mirat, janë dhunti e Krijuesit të Madhërueshëm. Në këtë rast në vend që të lavdërosh, falendero, sepse pastrimi i nefsit realizohet me sekretin e këtij ajeti:
“Pra ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten.” (Shems, 9).
Pra përsosmërinë, fuqinë dhe pasurinë e garanton në të kundërtat e tyre, duke pranuar se je i thjeshtë, i dobët dhe i varfër, atëhere ke filluar ta pastrosh atë.
Hapi i katërt i përparimit të nefsit:
Ashtu siç ky ajet:
“Çdo send zhduket e Ai jo.” (Kasas, 88 ) na jep mësimin e duhur që do të thotë se, nefsi (uni), ekzistencën vet e konsideron se është sovran. Për këtë arsye pretendon dhe e paraqet veten si idhull. Adhuruesit e unit vazhdimisht mbajnë armiqësi dhe kundërshtim ndaj All-llahut (xh.sh.). Tani për të shpëtuar nga ky rrezik, duhet të vësh re në vetvete të ardhmen. Pra çdo gjë e krijuar është e përkohshme dhe do të zhduket. Kur ta mendosh qëllimin e krijimit të tyre, të cilat janë nga një pasqyrë e “Emrave të Bukur” të Mjeshtrit të Madhërueshëm, detyrat e të cilave janë dëshmitarët e dukshëm të Krijuesit, pastrimi i nefsit bëhet jo duke thënë “unë”, por duke e pranuar veten si një pasqyrë. Kështu All-llahu e lartëson atë. Pra kur i beson vetes dhe mbyll sytë ndaj Krijuesit të vërtetë, atëhere bëhet si ajo xixëllonja, që i bën dritë vetëm vetes së saj. Por kur e braktis unin, duke e konsideruar veten asgjë, atëherë edhe e vetme është një pasqyrë e Krijuesit. Kush gjen All-llahun (xh.sh.), ai ka gjetur çdo gjë.
“Pra ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten, e ka dështuar ai që e poshtroi vetveten. Dhe ndaj All-llahut bëhuni respektues” (Shems, 9-10; Bekara, 238 )
O ju vëllezër të ahiretit, ju shokët e mi që i shërbeni Kur’anit! Duhet ta dini se në këtë jetë, veçanërisht kur je duke i shërbyer jetës së mbrapme, parimi themelor dhe forca më e madhe, është sinqeriteti, ndihmësi më i mirë, pikëmbështetja më e fortë dhe lutja më e pranuar dhe për t’ia arritur qëllimit, shkaku më i mrekullueshëm është sinqeriteti, i cili është virtyti më i lartë dhe adhurimi më i pastër.