Në një kohë të shkurtër u botuan “Shkëlqimet”, “Shenjat e mrekullive të Kur’anit”, “Mesnevi-i Nurije”, “Shkopi i Musait”, “Rrezet”, dhe “Jeta e Bediuzzamanit”. Për çdo libër që dilte nga botimi, kur ia jepnin në dorë thoshte: “O All-llah, ta shoh edhe këtë dhe le të iki, unë këto ditë prisja.”
Said Özdemir, një nxënës tjetër i Bediuzzamanit që vazhdon shërbimet në Ankara, thotë:
“Në 1956 para se të botohej libri “Fjalët”, më dha 1.300 lira për shtypshkronjën, të cilat i kishte kursyer vetë. Deri në fund të jetës e kontrollonte vetë çdo botim. Kur u botua ky libër dhe ia dërgova, bëri dua dhe u gëzua sikur t’i kishe dhënë të gjithë botën, duke thënë se, “unë e kreva detyrën time e tani edhe të vdes nuk më mbesin sytë hapur. S’kisha qëllim tjetër përveç se të botohet Risale-i Nur me germat që rinia të mund t’i lexojë dhe t’i kuptojë ato. Tani kjo u realizua dhe e falenderoj All-llahun (xh.sh.) që mund të largohem në botën tjetër me qetësinë e zemrës dhe të shpirtit......”
Pas këtyre fjalëve më pagoi edhe 25 lira, si çmim të një libri që mori. Megjithëse e kundërshtova duke i thënë se, “librat janë të juajat. Edhe më parë më dhatë të gjithë ato para, e përsëri për çfarë më jep?”; ai më tha se, “që të mos prishet sinqeriteti, librin tim duhet ta blej me para dhe mos ia jipni secilit që jep 25 lira, por vetëm atij që thotë se do të përpiqem që ta lexojnë atë 25 vetë...”
Bediuzzamani i ishte afruar moshës nëntëdhjetë vjeçare. I helmuar disa herë, çdo ditë i shtoheshin shqetësimet. Ai gjithashtu mbante shqetësimin shpirtëror të të gjithë botës, e veçanërisht të botës islame. Rrethi i lexuesve të Risale-i Nurit, ishte shpirtërisht si trupi i tij. Kështu ai ndjente dhimbje shpirtërore dhe fizike, megjithëse lutjet e nxënësve që bënin për të dhe përhapja e ndikimit të Risale-i Nurit ishin si një melhem (ilaç shërues).
Në periudhën e fundit të jetës së tij, nuk qëndronte shumë në një vend. Kur shkonte në vende me ajër të pastër, merrte pak frymë dhe i lehtësoheshin sado pak shqetësimet.
Kur Risale-i Nur filloi të shpërndahej gjerësisht dhe në çdo vend, megjithëse e ndjente nevojën që të takohej me njerëz, duke thënë se, “për ju leximi i Risale-i Nurit është dhjetë herë më i dobishëm se të takoheni me mua”.
Kështu e pati mbyllur derën e vizitorëve. Derisa edhe me nxënësit që kishte pranë vetes, nuk fliste pa pasur nevojë dhe thoshte:
“Risale-i Nur për kohën e sotme është një mrekulli e Kur’anit dhe të vërtetat e tij janë ato që e kanë mbrojtur atdheun nga rreziku i komunizmit dhe kam shpresë se do të bëhet shkak që ta përsërisim vëllazërimin e vërtetë me vëllezërit muslimanë. Është shumë e nevojshme që Risale-i Nur të përhapet edhe në shtetet tjera të muslimanëve”.
Vazhdimisht thoshte se është shumë më e nevojshme të ngjitesh tek këto të vërteta të Nurit, se sa të mundohesh t’i zgjidhësh problemet me politikë.53
gj) Adhurimi dhe mendimet e Bediuzzamanit
Këtu do të paraqesim personalitetin shpirtëror të Bediuzzamanit, në dhjetë vitet e fundit të jetës së tij, të përmbledhura nga nxënësi i tij Mustafa Sungur:
- Një ditë mësuesi një nxënësi të tij i thotë se: “Unë i di ajetet e shërimit që gjenden në Kur’an, por nuk i përdori ato, meqë sëmundjet janë kalimtare dhe duhet të fitohet sevapë që vijnë nga durimi ndaj sëmundjes”.
Për të shqetësimi më i madh ka qenë vetëm Risale-i Nur, d.m.th. si do të përhapen mësimet e këtyre librave. Rrethi i Risale-i Nurit për të ka qenë si një trup shpirtëror. Fatkeqësitë që vinin mbi Risale-i Nurin si pasojë e gabimeve të nxënësve, apo e sulmeve të kundërshtarëve, i merrte mbi veten e tij.