- O bijtë e mi! Ky mësim nuk na intereson vetëm neve, ky është një besim që ka lidhje me tërë gjithësinë. Sepse këtë mësim janë duke e dëgjuar edhe botërat e shpirtërave dhe të melekëve. A mendoni se këtu jemi vetëm 5-6 vetë që bëjmë mësim besimi? Ne me mësimin tonë shpirtërisht jemi bashkuar me mijëra grupe që bëjnë mësim për këtë ide nëpër të gjithë vendin.
Shërbimi im përshtatet me shërbimin e sahabeve. Në shërbimin tim mund të ndodhë që të burgosesh, të vuash urinë apo fatkeqësi të tjera. Edhe Abdulkadir Gejlaniu të më thotë: “Said, lëre shërbimin tënd për një kohë të shkurtër dhe ec sipas shërbimt tim, e në këtë mënyrë ty do të të bëhen një milionë muridë (nxënës)”,-unë atij njeriu të shenjtë i përgjigjem kështu: “O mësues, unë ty të puthi duart e të respektoj, por si mund ta braktis rrugën që ma ka mësuar mësuesi i vërtetë, e jam i detyruar të vazhdoj në këtë rrugë”.
Pastaj u drejtua nga ne dhe tha: “Sillmani Kur’anin dhe betohuni në të se nuk do të ndaheni nga kjo rrugë e vërtetë”.
Këtë e ka përsëritur shumë herë. Ai thonte: “Përfitoni nga të vërtetat e Risale-i Nurit që mbajnë vlerën e ushqimit, sepse nga ato përfitojnë mendja, zemra, shpirti, veset dhe shqisat. Në rast të kundërt mendja mund të marrë një pjesë të vogël, kurse shqisat e tjera mbesin pa ushqim. Risale-i Nur nuk duhet të lexohet si librat e tjerë, sepse ai që mban të vërtetat e besimit nuk ngjan me libra e tjerë të diturive dhe shkencave. Kurse këto jo vetëm për mendjen, por edhe për të gjitha shqisat e tjera janë dritë dhe ushqim”.
Namazin gjithnjë e falte me xhemat dhe tregonte shumë kujdes për kohët e tyre. Një herë ishim duke shkuar në Emirdag me makinë dhe s’kishin mbetur as tre kilometra pa mbërritur, kur filloi të këndohoj ezani. Ai na detyroi që ta ndalim makinën dhe ta falim namazin në kohën e vet, pra menjëherë pas mbarimit të ezanit. Këtë e bënte gjithmonë. Edhe në të ftohtin e ashpër nuk i braktiste namazet e tehexhxhudit (natës) dhe të duhasë (paradrekës). E kishe merak ta dëgjoje kur këndonte Kur’an, sepse e këndonte duke i përjetuar dhe parë të vërtetat. Duke kënduar Kur’an, e kapllonte zëri hyjnor i Kur’anit famëlartë, duke e lexuar me “texhvid” (rregullat e leximit).
Në muajin e Ramazanit flinte fare pak, ndërsa në muajt e tjerë maksimumi pesë orë. Askënd nuk merrte nëpër gojë dhe i pengonte edhe të tjerët që ta bënin një gjë të tillë. Kurrë nuk e kalonte kohën bosh, fliste shumë pak, vazhdimisht ose lexonte, ose korigjonte shkrimet e Risale-i Nurit. Nganjëherë bënte edhe shaka që të mos mërziteshim.
Megjithëse nuk i kishin mbetë dhëmbë, përdorte misvak (furçë natyrale).
Që Risale-i Nur të përhapej në Anadoll dhe që këta libra të lexohen në vende të ndryshme, mësuesi na këshillonte që brenda rregullave ligjore të hapen medrese (ders’hane), sepse ky popull duhet të përfitojë nga këto të vërteta.