E dyta: 80% t’ua tregosh një dritë që të mund të shohin se ku kanë rënë dhe të dalin në rrugën e sigurtë. Unë po shoh se përballë 20 vetëve, 80 të tjerë kanë marrë një topuz në dorë dhe ua tregojnë rrugën atyre. Ndërsa përballë atyre 80 që s’kishin rrugëzgjidhje dhe ishin në dyshim, nuk iu tregua drita me të drejtë. Edhe në qoftë se u tregohet, për arsye se në një dorë mbajnë shkopin e në tjetrën dritën, bëhet e pasigurtë. Dyshuesi duke u shqetësuar nuk i zë besë dhe thotë se: “Mos vallë më mashtron me dritë që të afrohem pranë, e pastaj ndoshta më godet me shkop”. Bile nganjëherë duke u përleshur me shkop, drita shuhet ose largohet. Tani kuptimi i kësaj që thamë është kështu:
Pellgu i ndotur është pakujdesia e njerëzve që mundohen të marrim shije nga devijimi. Dyshuesit janë ata që e urrejnë devijimin por nuk mund të dalin nga ajo, duan të shpëtojnë por nuk arrijnë të gjejnë rrugë shpëtimi... Topuzi dhe shkopi janë rrymat politike. Drita, personifikon të vërtetat e Kur’anit. Ndaj dritës nuk bëhet grindje, me të nuk duhet të armiqësohesh. Përveç shejtanit askush nuk bën urrejtje ndaj saj. Për këtë arsye unë për të mbajtur mirë dritat e Kur’anit thashë:
I mbështetem All-llahut nga dëmi i shejtanit dhe i politikës!
Vetëm në këtë mënyrë mund ta hedh politikën dhe t’i kapem dritës më mirë. Unë pashë se në rrymat politike, tek politikanët e një partie dhe tek kundërshtarët e tij mund të gjesh persona që i duan të vërtetat e Kur’anit dhe duan të hyjnë në fe. Mësimet e Kur’anit janë në një pozitë aq të lartë saqë s’mund ta arrijë asnjë rrymë politike dhe këto të vërteta janë shumë larg nga shpifjet dhe urrejtjet e tyre...
Ne e falenderojmë shumë All-llahun (xh.sh.) që për shkak se u larguam nga politika dhe u lidhëm me të vërtetat e Kur’anit me vlerë diamanti, bëmë që vlerat e Kur’anit të mos i zbresim në copa qelqi të pavlera për propagandë politike.”59
Pyetje: Për çfarë arsye u tërhoqe nga politika dhe nuk i afrohesh më fare?
Përgjigje: Saidi i vjetër para nëntë apo dhjetë vitesh hyri pak në politikë, duke menduar se ndoshta me politikë do t’i shërbejë fesë dhe dijes, por u lodha kot dhe pashë se ajo rrugë nuk ishte e sigurtë, me shumë telashe dhe fare pa dobi. Madje rruga e politikës i pengon punët e dobishme. Pjesa më e madhe e politikës është gënjeshtër dhe ka mundësi që ti pa vetëdije i ndihmon ndonjë fraksioni të jashtëm. Në qoftë se unë futem në politkë në anën e kundërshtarëve, do të duhet të kontribuoj ose me mendim ose me forcë. Me mendim për mua nuk ka nevojë sepse çështjet janë të hapura e çdokush ka njohuri për to. Të fjalosësh pa vlerë nuk ka kuptim. Kundërshtimi me forcë dhe me provokime për një rezultat që nuk është i sigurtë, atëherë ka mundësi që të hyj edhe në mijëra gjynahe. Për shkak të një personi shumë të tjerë hyjnë në bela. Mua nuk ma lejon ndërgjegjja që të bëhem shkak e t’i fus në gjynahe njerëzit e pamëkatshëm. Në këtë rast Saidi i vjetër i braktisi gazetat, bisedat e përditshme dhe politikën. Kështu që, prej tetë vitesh nuk kam lexuar asnjë gazetë. Kurse para tetë vjetëve Saidi i vjetër ndoshta ka lexuar 8 gazeta në ditë. Dhe që prej pesë vitesh po më ndjekin me një kujdes të madh. Po qe se dikush tek unë ka parë një pikë politikë, le ta thotë.
Pyetje: Për çfarë u tërhoq Saidi “i ri” nga politika?
Përgjigje: U largova nga politika e kësaj jete të përkohshme, që të mos sakrifikoj përpjekjet dhe përfitimet e jetës së përjetshme, që është më shumë se miliarda vite. Nga politika u tërhoqa që t’i shërbej besimit dhe Kur`anit, sepse është më e rëndësishme, më e pastër, më e vërtetë. Unë jam duke u plakur e nuk e di akoma se sa do të jetoj. Meqë është kështu, për mua puna më e rëndësishme është që të punoj për jetën e përjetshme.