- Dhe zyrtarisht Risale-i Nur të shpallet lirisht!...
Në qoftë se i bëni këto do të vendosim t’ju bëjmë dua, duke i cilësuar edhe emrat tuaj.”
Pas kësaj nga Ankaraja udhëton për në Konia, pastaj për në Emirdag, ku pas disa ditë qëndrimi, me 11 janar 1960 niset me nijetin për të shkuar përsëri në Ankara. Kur makina i ishte afruar Ankarasë, nga lajmet në radio, lajmërohet se me urdhër të Këshillit të Ministrave, është urdhëruar që Said Nursiu të mos dalë nga Emirdagu. Këtë lajm e dëgjon edhe vetë Bediuzzamani.
Ata i provuan të gjitha rrugët e hyrjes për në qytet, por kudo vunë re postoblloqe të policisë, një nga të cilët e ndali makinën dhe ia kumtoi urdhërin e qeverisë.
Bediuzzamanii tha: “Unë nuk e njoh qeverinë.”
Polici: “Zotëri ju mund të mos e njihni, por mendoni pozicionin tim dhe kini dhimbshuri për mua.”
Bediuzzamani: “Atëherë për hatrin tënd po kthehem mbrapsht”,-tha dhe u kthyen për në Emirdag.
Një nga nxënësit e tij Bajram Jyksel (i cili vdiq në një aksident në Bullgari, në 1996 duke u kthyer nga Gjermania, ku kishte shkuar për shërbimet në islam. Shën. i editorit) na shpjegon:
“Kishte hyrë muaji i shenjtë i Ramazanit. Ishte data 15 Ramazan. Në farzin e jacisë na printe Mësuesi, kurse në teravih (vëlla) Tahiri. Mësuesi u keqësua gjatë namazit. Pasi u falëm e çuam në shtrat. Në njërën anë isha unë dhe në anën tjetër vëlla Sunguri, me të cilin filluam të lexonim Xhevshen (Dua, lutje). Në këtë moment Ystadi (Mësuesi) na tha:
‘Bijtë e mi, bijtë e mi, në asnjë mënyrë mos u bëni pesimistë. Risale-i Nur ia ka thyer belin të pafeve dhe masonëve. Risale-i Nur është gjithmonë triumfues. Unë do të largohem me shumë gëzim.’
Pas kësaj date nuk e lënim asnjë moment vetëm. Edhe namazet i falnim me radhë. I shtrirë në shtrat, dergjej nga temperatura e lartë. Mësuesi pa drejt meje dhe tha: ‘Do të shkojmë’. ‘Ku do të shkojmë?’,-i thashë. ‘Në Urfa’,-tha. Prapë e përsëriti të njëjtën gjë. ‘Ka temperaturë të lartë, prandaj flet kështu.’,- tha vëlla Zybejri.
(Mësuesi librat më të rëndësishëm të tij dhe xhyben e sjellë nga Mevlana Halidi, i kishte çuar në Urfa që më parë. Ai vizitorëve që vinin nga Urfa i thonte se: - Në fund të jetës time do të shkoj në Urfa. Unë i bëj dua Urfës.)
Ishte ora 2 e gjysëm e natës, kur Mësuesi filloi ti përsëriste duke rreshtuar këto fjalë: ‘Të vijnë mëngjesi, menjëherë do të shkojmë për në Urfa.’
Përgatitëm makinën. Edhe mësuesin e bëmë gati dhe e shtrimë në sediljen e pasme të veturës. Unë me vëlla Zybejri u ulëm përpara. Kur dolëm nga garazhi binte shumë shi. Gjatë rrugës shiu u shtua edhe më tepër. Kur kaluam në postobllok, nga rrebeshi madh policët kishin hyrë brenda dhe nuk na panë. Pastaj rrugës e mbuluam targën me baltë për të mos u njohur. Për një moment mësuesi u përmirësua, rrugës kishte një çezme nga ku morëm abdest dhe falëm drekën. Namazin e ikindisë e fali në makinë sepse përsëri u keqësua. Kur hymë në Konia, morëm pak djathë dhe ullinj, që do t’i përdornim për iftar, për të cilat paratë na i dha mësuesi, i cili na tha: ‘Bijtë e mi. Unë jam shumë i sëmurë. Hani ju edhe në vendin tim.’