- Mësuesi ka fjetur.
Mësuesin e kishim mbuluar me një mbulesë. Në këtë moment erdhi pronari i hotelit dhe pasi hapi pak derën e kuptoi gjendjen dhe filloi të qante me dënesë. Kur u takua jashtë me kryetarin e Degës, ai i tha se ç’është ky telash? Ai iu përgjigj: ‘Hazreti Bediuzzaman ka ndërruar jetë.’
Kështu kryetari i Degës e dërgoi mbrapsht xhandarmërinë që kishin ardhur për ta dërguar Mësuesin në Isparta.
Por megjithatë ai për ta vërtetuar diçka të tillë thirri një doktor, i cili pasi e vizitoi: ‘Allah, Allah, është shumë i nxehtë. A ka një pasqyrë’,-më tha mua.
Kur ia vuri pasqyrën afër gojës dhe nuk u panë shenjë fryme, tha: ‘Po me të vërtetë ka ndërruar jetë, por nuk i përngjet ndonjë të vdekuri. Unë nuk dua që kjo kufomë të ngrihet menjëherë. Të rrijë pak, unë dyshoj.’
Në drekë e morën kufomën e pastër të mësuesit dhe e çuan në xhami për të përgatitur xhenazen. Populli i Urfës kishte mbyllur dyqanet dhe ishin mbledhur në një kallaballëk të madh. Atë natë xhenazja e Mësuesit ndenjti në xhami. Ne filluam të këndojmë hatme deri në mëngjes.
Kishim vendosur që xhenazja të varrosej të xhumanë (të premten). Kishin filluar të vinin njerëz jo vetëm nga të katër anët e vendit por edhe nga jashta vendit. Kështu kishte filluar të bëhej shumë kallaballëk, prandaj prefekti i Urfës na thirri dhe na u lut që namazi i xhenazes të falet të enjten në ikindi. Atëherë u lajmërua me altoparlantë se kishte ndërruar orari i varrimit.
Kështu me pjesëmarrjen e mijëra vetëve dhe të vetë prefektit dhe kryetarit të Bashkisë, xhenazja u fal pas namazit të ikindisë së të enjtes dhe u varros në xhaminë e Urfas.
Vëlla Zybejri ndenjti në Urfa, kurse ne të tjerët me makinën që kishim ardhur me Ystadin, u nisëm drejt Ispartës.”
4- Pas vdekjes së Bediuzzamanit
a) Kam një varr të rrëzuar!
Bediuzzamani nuk dëshironte që t’i dihej varri pasi të vdiste. Shumë nxënësve u jepte të njëjtën porosi duke u thënë se: “Varri im të jetë në një vend shumë të fshehtë, përveç një apo dy nxënësve mos ta dijë kush tjetër. Vëlla Zybejri dhe Xhejlani pyetën: “Për çfarë arsyeje po e ndaloni vizitën e varrit, sepse vizitorët duke kënduar Fatiha fitojnë sevape?”
Mësuesi atyre i është përgjigjur kështu: “Jemi duke jetuar në një kohë të tmerrshme. Njerëzit e kohës së sotme, me pakujdesinë e egos shtyhen që ta kthejne fytyrën nga statujat, fotografitë dhe gazetat, duke i përngjarë njerëzve të kohës së faraonëve të hershëm, të cilët adhuronin statujat dhe pikturat.
Përpara, varrezat vizitoheshin për hir të All-llahut (xh.sh.), ndërsa tani vizitorët qëllimin kryesor e kanë ndaj pozitës së të vdekurit, pra vetëm nga pamja materiale. Për këtë arsye që të mos thyhet sinqeriteti maksimal i Risale-i Nurit, u detyrova që të marr këtë vendim, që të mos më dihet varri. Ndërsa i vdekuri qoftë në lindje apo në perëndim sevapet e Fatihasë së kënduar i shkojnë kudo që të jetë.