Në këtë moment morën lajm populli i Siirtit, të cilët u mblodhën për ta mbrojtur, duke e fshehur në një dhomë. Por Bediuzzamani nga dashuria që kishte ndaj diturisë, doli nga dhoma duke thënë: “Unë nuk poshtërohem që të hyjnë injorantët mes nesh, ja ku jam, keni mundësi të më mbysni, por vetëm se mos lejoni të na hyjnë mes nesh injorantët”. Pas këtyre fjalëve nxënësit u penduan për atë që bënë dhe askush nuk e sulmoi.
Në këtë kohë lajmi kishte shkuar edhe në xhandarmëri, nga ku u dërgua urdhëresa që do të dënoheshin ata të cilët shqetësonin Saidin. Por ai i thotë xhandarëve se: “Ne jemi nxënës, njëri me tjetrin edhe grindemi edhe pajtohemi. Dhe ne në asnjë mënyrë nuk lejojmë që mes nesh të hyjë dikush jashta rrugës sonë, unë nuk denoncoj dhe faji është i imi.”
Në këtë rast Saidi u nda nga Siirti dhe nëpër Bitlis shkoi përsëri në Shirvan, e atje duke i tejkaluar të gjithë nxënësit e medreseve me dije, u tërhoqi atyreve habinë mbi vete, por fitoi edhe shumë kundërshtarë. Veçanërisht kur debatoheshin çëshjet e fesë me disa që nuk ishin te sinqertë, me tërë fuqinë përpiqeshin që t’ia rrëzonin vlerën e tij në popull. Një ditë i kishte ikur namazi i sabahut “kaza” (ta falësh pas kohës së caktuar). Kundërshtarët e marrin këtë lajm dhe fillojnë të përhapin fjalën që Saidi ka braktisur namazin. Kur e pyesin njerëzit Saidin për këtë, ai i tha:
- Një gjë e pathemeltë në popull përhapet shumë shpejt. Për arsye se faji është i imi, njëherazi vuajta dy tortura; njëra është që nga All-llahu meritova kritikën, tjetra nga populli meritova kundërshtim dhe kjo ka rrjedhur nga që kam braktisur “virdin” (lutjet e bëra zakon). Megjithëse kjo ka shënuar një të vërtetë, populli duke mos ia ditur kuptimin, i ka ngjitur një emër.
Pastaj Bediuzzamani shkoi në Tilo, një krahinë e Siirtit. Atje mësoi përmendësh nga Enciklopedia e Fjalorit të Madh Arabisht, deri në germën “sin”. Kur e pyetën për çfarë e bën këtë, tha se:
- Enciklopedia tregon se sa kuptime ka fjala, unë përkundrazi do të tregoj sa fjalë mund të dalin nga kuptimi i një fjale. Saidit gjatë kësaj kohe gjellën ia sillte vëllai i tij i vogël. Bukën e ngjynte në lëngun e gjellës, kurse kokrrat ia jepte milingonave. Kur u pyet për këtë, u përgjigj:
- Milingonat dinë se çfarë është jeta sociale, janë republikane dhe unë si shpërblim i punës së tyre, u jap kokrrat e gjellës sime.16
4- Ditët e tij të rinisë
a) Udhëtimi për në Xhizre
Bediuzzamani një herë pa një ëndërr Gejlaniun (k.s.) i cili e urdhëroi që të shkojë në Xhizre e ta gjejë Mustafa Pashanë, kryetarin e klanit të Miranit dhe le t’i thojë që ta braktisë zullumin dhe të filloje të falë namazin...
Pas kësaj ëndrre Bediuzzamani përnjëherë u drejtua dhe shkoi tek Pashai dhe i tha fjalët e Abdylkadir Gejlaniut (k.s.). Pashai u hidhërua shumë nga këto fjalë dhe u ngrit në këmbë i nervozuar, por ata që ishin rreth tij e ulën duke e qetësuar. Pastaj Pashai i tha Bediuzzamanit:
- Bëhu gati, do të mbledh dijetarët e rrethit tim të diskutoni në çështjet e fesë. Po qe se ty të mundin ato, unë e di se çka do të të bëj, po qe se ti i mund, atëhere do t’i zbatoj ato që the.