Njëra, këndimin e shpejtë të Kur’anit e quante si mosrespekt që i bëhej. E dyta, ishte i mendimit që më shumë është i nevojshëm kuptimi i Kur’anit dhe të vërtetat e Tij, sesa leximi përmendësh. Për këto arsye u mor me mësimin përmendësh të dyzet librave të shkencave ekzakte dhe të fesë islame, duke i përdorur ato si çelës i të vërtetave të Kur’anit. Çdo ditë duke lexuar nga pak, mundi t’i mbarojë për tre muaj.
Një natë Bediuzzamani sheh në ëndërr Shejh Muhammed Kufrevinë (k.s.), i cili i thotë: “Eja më vizito se unë po largohem”. Menjëherë vrapon drejt tij, kur sheh se Shejhi po fluturonte.
Në këtë rast zgjohet dhe sheh se ora ishte shtatë e mbrëmjes, përsëri bie të fle. Kur ngrihet në mëngjes merr vesh për vdekjen e shehut, i cili kishte vdekur në shtatë te mbrëmjes.
“Ne jemi të All-llahut dhe vetëm tek Ai kthehemi” (Bekare, 156)
“Mëshira e All-llahut qoftë mbi të. Amin.”
Bediuzzamani i donte shumë të gjithë dijetarët e krahinës.
5- Jeta e Bediuzzamanit në Van
Meqenëse nuk kishte ndonjë dijetar të njohur në qytetin Van, prefekti i Vanit, Hasan Pashai, e fton Bediuzzamanin atje. Me këtë ftesë Said Nursiu shkon në Van dhe aty qëndron pesëmbëdhjetë vjet.
Kur ishte në Van duke biseduar me nëpunësit, Bediuzzamani thoshte se në këtë shekull për të refuzuar dyshimet e imponuara në fe nga armiqtë e islamit, nuk mjafton vetëm filozofia, është shumë e nevojshme të studiohen edhe shkencat fizike.20
Në këtë periudhë duke hulumtuar themelet e shkencave filloi që t’i sdudiojë edhe shkencat fizike e sociale, duke filluar nga historia, gjeografia, matematika, gjeologjia, fizika, kimia, astronomia dhe filozofia. Dhe jo duke marrë mësim nga ndonjë profesor, por duke i studiuar vetë, duke i kuptuar shumë mirë të vërtetat e tyre. Ai pra ishte bërë një autodidakt i mirëfilltë.
Bediuzzamani kur ishte në Van gjendja e tij në disa çështje kundërshtohej me dijetarët e rrethit. Si p.sh.:
1- Që të bëhen ndikuese fjalët, askujt të mos i marrësh ndonjë dhuratë, para apo rrogë. Ja ai vetë në të gjithë jetën e tij nuk ka qenë pronar i ndonjë malli. Megjithëse ka përjetuar vetminë dhe varfërinë, vazhdimisht ka vuajtur edhe fatkeqësitë e tmerrshme të internimeve dhe burgimeve dhe përsëri askujt nuk i ka marrë ndonjë para apo dhuratë pa kompensim me ndonjë gjë. Për këtë janë dëshmitarë nxënësit e tij.21
2- Mosbërja e pyetjeve ndaj dijetarëve. Njëzet vjet i ka dhënë përgjigje vetëm pyetjeve të tjerëve. Kur e pyetnin për këtë veprim, thoshte: “Unë nuk dyshoj për diturinë e dijetarëve, prandaj është e tepërt t’i bësh edhe pyetje atyre. Po qe se dikush dyshon tek unë, le të pyesin t’u jap përgjigje.”
3- Edhe nxënësit e vet i ka penguar të marrin zekatin apo dhuratën e ndokujt, I shtynte ata të punonin vetëm për hir të All-llahut (xh.sh.). Shumë herë furnizimin e nxënësve e bënte vetë.