Në të kaluarën, nxënësit e Saidit “të vjetër” ndaj mësuesit të tyre kanë pasur lidhje aq të forta, saqë ishin gati të sakrifikonin edhe shpirtrat e tyre. Sulmet e forta të armenëve që bëheshin ndaj qytetit Van dhe Bitlis, Saidi me nxënësit e tij heroikë, i vinte përballë duke ia zënë frymën. Duke i dhënë nxënësve të tij edhe ushtrime luftarake, e kishte bërë medresenë si një lloj kazerme. Në medrese librat gjendeshin së bashku me pushkët. Një herë pati ardhur një oficer i cili i tha: “Kjo nuk është medrese por kazermë.”
Kështu shteti u shqetësua dhe urdhëroi që t’i mblidhen armët, të cilat ishin pesëmbëdhjetë pushkë që i kishin rënë në dorë, por pas tre vitesh plasi lufta botërore dhe i morën përsëri.
Në lidhje me këto ngjarje e pyetën Bediuzzamanin se: “Për ç’arsye armenët po largohen me frikë prej jush. Vallë cila është ajo fuqi që e bën këtë?”
Bediuzzamani: “Armenët luftojnë për këtë jetë të përkohshme. Prandaj s’është e mundur që të na bëjnë ballë neve që përpiqemi për jetën e pafundme dhe mundohemi që të mbrojmë interesat pozitive të ummetit (pupullit) islam dhe besojmë se exheli (vdekja) është një. Po qe se është e nevojshme të sakrifikojmë edhe shpirtin për muslimanët, pa u tërhequr aspak, do ta përballojmë vdekjen, koha e së cilës është e caktuar.”62
Bediuzzamani ka konstatuar diagnozën e popullit duke thënë se ekzistojnë tre sëmundje: injoranca, përçarja dhe varfëria. Për këtë arsye nga njëra anë me tërë fuqinë e tij përpiqet për arsimimin e popullit, nga ana tjetër përpiqet të pengojë ata që mundohen të fusin përçarje në popull. Në këtë mënyrë duke paraqitur një shembull, thotë: “Pak para Luftës së Parë Botërore, kur isha në Van, m’u afruan disa besimtarë të devotshëm duke më thënë se: “Po shihet qartë se disa komandantë janë pa fe, na ndihmo që t’i kundërvihemi atyre.”
U thashë atyre: “Ligësitë dhe mohimet e tyre janë krimet e veta dhe ushtria nuk ka faj e ushtarët nuk përgjigjen për ta. Mos harroni se ushtria Osmane ndoshta ka një qind mijë evlija të shenjtë, prandaj unë nuk bashkohem me mendimet e juaja.” Kështu ikën dhe fatkeqësisht ngritën krye kundër ushtrisë Osmane. Pas pak kohe filloi lufta e Parë Botërore dhe pastaj u bashkuan në xhihad (luftën e shenjtë). Një qind mijë ushtarë ranë shehid (dëshmorë) duke u lartësuar në gradat e larta dhe me gjakun e tyre nënshkruan dhe vërtetuan mendimin tim.63
10) Bediuzzamani në Luftën e Parë Botërore
a) Fushata e tij në frontin lindor
Në nëntor 1914, kur filloi Lufta e Parë Botërore në kufijt lindorë, rusët sulmuan tokat osmane. Bediuzzamani në Luftën e Parë Botërore mori pjesë si vaiz (ligjërues) në krahinën e Vanit, në forcën e tretë ushtarake të Erzurumit. Nga dita e parë e luftës, kryekomandanti Enver Pashai64, Bediuzzamanit i dha detyrën e organizimit të forcave policore. Bediuzzamani qëndroi në këtë detyrë deri në fund të luftës. Në luftën e mbrojtjes së Sarikamishit dhe të Bitlisit, që zgjati dy vjet, Nursiu tregoi aftësi të jashtëzakonshme, të cilat u vlerësuan edhe nga vetë prefekti i Vanit, Tahsin beu, i cili i dha një medalje në dokumentin e së cilës thuhej: “Shërbimet e kryera nga divizioni i Vanit, janë rezultati i përpjekjeve materiale dhe shpirtërore të Said Nursiut”.
Gjatë kësaj lufte me ndihmën e nxënësit të tij, Molla Habibit ka shkruar veprën e tij të famshme “Shenjat e mrekullive të Kur’anit”. Molla Habibi shkruante atë çfarë i diktonte Saidi65, duke u shkruar në këtë mënyrë pjesa më e rëndësishme e këtij libri.