Bediuzzaman Said Nursi pas robërisë
11- Kthimi nga robëria dhe jeta e Bediuzzamanit në Stamboll
Bediuzzamani duke kaluar nëpër Leningrad, arriti në kufirin me Gjermaninë, aty ushtarët e mbajten pak, pastaj e liruan dhe nëpër Petersburg arriti në Varshavë.
Pasi kaloi edhe nëpër Vjenë, më tren vjen nga Sofje për në Stamboll. Mbërritja e tij në Stamboll lajmërohet edhe nëpërmjet gazetave, të cilat shkruanin:
“Dijetari nga Kurdistani, Bediuzzaman Said Nursiu me nxënësit e tij, që ka marrë pjesë në luftë nëpër frontet e Kaukazit, dhe pasi kanë rënë robër tek rusët, më në fund arritën në qytetin tonë, Stamboll”.
Ardhja e tij në Stamboll e gëzoi shumë popullin, në veçanti njerëzit e dijes. Atë pa e lajmëruar fare e bënë anëtar të një shoqate fetare, që kishte për qëllim bashkimin dhe mbrojtjen e muslimanëve rreth Ligjit Hyjnor, që të mos abuzojnë çështjet e fesë. Në të njëjtën periudhë (më 18 Zafer 1336 hixhri), i dhanë titullin “Mahreç”, titull vetëm për dijetarët e lartë. Duke qenë në këtë shoqatë ka shkruar si më poshtë:
“Emri im Said, njihem si Bediuzzaman, atësia Mirza. Nuk jam i ndonjë familje me famë, medh’hebi im është Shafi, jam nënshtetas Osman. Datëlindja ime është e vitit 1293 hixhri. Kam lindur në fshatin Nurs të krahinës së Isparitës. Mësimet e para i kam marrë nga vëllai im për dy vjet, pastaj kam marrë mësim nga Muhammed Xhelali, në Bejazit të rrethit Erzurum. Rreth 15 vjet studiova shkencat e natyrës dhe ato ekzakte. Kur filloi lufta e kaluar shkova si kryetar regjimenti në qytetin Bitlis dhe rashë rob tek rusët. Pastaj duke u arratisur nga robëria u ktheva në Stamboll. Nga fillimi e këndej jam anëtar i organizatës “Darul-hikmet’ul Islamije”, në Bejazit. Dua t’ju tregoj se e kam humbur diplomën që më ka dhënë dijetari i famshëm Muhammed Xhelal Efendi. Deri tani jam autor i 17 librave të botuara. Në gjuhën arabe kam librin “Isharetul Ixhaz”, lidhur me logjikën. Pastaj vijnë “Talikat”, “Kızıl Ixhaz”, “El hutbet-ush-Shamije”. Në gjuhën turke “Nokta”, “Shuaat”, “Sunuhat”, “Munazarat”, “Muhakemat”, “Tuluat”, “Lemaat”, “Rumuz”, “Isharat”, “Hutuvat-ı Sitte”, “İki musibetin şahadetnamesi” dhe “Hakikat çekirdekleri”. Librat e mi janë më shumë për të udhëzuar muslimanët. Ashtu siç flas gjuhën kurde dhe turke, njoh edhe gjuhën arabe dhe perse”.
Për arsye se robëria Said Nursiun e kishte tronditur shumë, kaloi një kohë që nuk po e fillonte detyrën, megjithatë shumë herë ai donte ta braktiste atë, por shokët e tij nuk e lejonin. Kështu ai vendosi që ta vazhdonte. Në këtë periudhë, në Stamboll depërtonin fjalët e anglezëve, të cilët donin ta përdornin shoqatën fetare për interesat e veta, sikurse përdornin grupet e tjera civile, por ata vazhdimisht para tyre gjetën Bediuzzamanin. Sepse ai duke mos vlerësuar vdekjen, qefinin e mbante në qafë. Kështu që edhe shoqata “Darul hikmetul islamije”, qëndroi si hekuri para tyre. Këtë nuk mundën ta ndikojnë fraksionet e huaja.
Veçanërisht ndaj jurispondencave të gabuara luftoi pa frikë. Sa herë që ndonjë rrymë sulmonte fenë, përnjëherë Bediuzzamani botonte shkrime shumë ndikuese.
Në atë kohë shkrimet e Saidit “të ri”, fituan shumë respekt edhe nga vetë Shejhul islam (kryegjykatësi i sheriatit) dhe nëpunësit e tij. Ndërsa në veprat e Risale-i Nurit, vetëm libri në arabisht “Isharetul Ixhaz”, ishte vepra e Saidit “të vjetër”, të tjerat ishin veprat e Saidit “të ri”. Një vepër tjetër e pabotuar me emrin “Talikat” me përmbajtje logjike, ishte një libër superior që ka habitur të gjithë dijetarët e asaj kohe. Ndërsa “Kızıl ixhaz” ishte botuar, ku këtë vepër e futi në kompletin, përmbledhjen e Risale-i Nurit, vepër me dobi për ata persona që kanë njohuri të thella teologjike, i shkruar shumë profesionalisht, në temat teologjike.80