Nursiun e internuan në Barla në një shtëpi të vogël me dy dhoma. Ai nuk kishte as shtëpi dhe as ndonjë pasuri tjetër. Shtëpia në Barla u bë qendra e medresesë së Risale-i Nurit, vend nga ku do të shndriste të gjithë muslimanët e botës. Poshtë shtëpisë kishte një çezme dhe pranë saj kishte një rrap të lartë e madhështor. Nursiu mes dy degëve të kësaj peme pati ndërtuar një kasolle, vend ky që në stinën e verës dhe të pranverës e përdorte për të bërë lutjet e tij të zakonshme dhe për të soditur horizontin, duke menduar Fuqinë Absolute të Krijuesit Madhështor. Dëshmitarët e kohës na dëshmojnë se Nursiu nga mbrëmja deri në mëngjes e kalonte kohën në atë kasolle mes degëve, duke përmendur All-llahun. Kështu bashkoheshin zërat e shpendëve që u mblidhnin në pranverë, me zërin e adhurimit të Bediuzzamanit.
Nursiu të shumtën e kohës e kalonte i sëmurë, me vështirësi, hante shumë pak. Natën këndonte Kur’an dhe lutjen e madhe të Pejgamberit (a.s.m.) “Xhevshen-ul Kebir” dhe duatë e dijetarëve të mëdhenj. Pastaj angazhohej me Risale-i Nurin. All-llahu i Madhëruar me Bujarinë Tij të përsosur, këtë njeri gjenial e kishte krijuar duke përmbledhur në të, cilësitë e përsosura të njerëzimit. Pra ky person gjenial ishte krijuar si një person i përgjithësuar, që ka lidhje edhe me këtë ajet:
“Tregoji mirësitë që t’i ka dhënë Zoti yt.” (Duha, 11)
“Duke e paraqitur si formë falenderimi shpirtëror do t’u jap disa shembuj, të parashtruar si mirësi nga All-llahu (xh.sh.). Megjithëse e kam qëllimin që të bëj një falenderim shpirtëror, përsëri frikësohem nga kryelartësia dhe që të mos bëhen shkak që të ndërpriten ato mirësi fisnike.
E para: Që gjashtë muaj më mjaftojnë 36 bukë dhe një kg grurë. Akoma nuk është sosur.2
E dyta: Në këtë muaj të Ramazanit vetëm nga dy shtëpi nganjëherë më dërguan gjellë. Të dyja herët u sëmura. Atëhere e kuptova se po ndalohem nga ana e Zotit (xh.sh.) që të ha gjellën e dikujt tjetër. Këtë e dëshmon edhe Abdullah Çavushi se përveç atyre dy ditëve (që më dërguan gjellë), 28 ditë të Ramazanit i kalova me 3 bukë dhe një kg oriz, i cili qëndroi edhe 15 ditë pas Ramazanit.
E treta: Kur qëndroja në pyll, hanim me gjithë nxënësin tim fisnik Sulejmanin nga gjalpi një kilogramësh që kishim. Një ditë na u mbarua buka dhe i thashë Sulejmanit që të shkonte të na sillte bukë, dy orë larg.
Sulejmani nuk donte që të largohej dhe për këtë i thotë mësuesit: “Në këtë natë të madhe kam dëshirë që të bëj dua bashkë me ty.”
Filluam të ecim në pyll në majën e një kodre. Patëm pak ujë, pak çaj dhe sheqer. I thashë: “O vëlla na bëj nga një çaj”. U ula nën një pishë dhe vëzhgoja nga lumi i thellë. Po mendoja se fatkeqësisht kemi vetëm një copë bukë të mykur dhe ajo për të dy mezi mjaftonte për atë natë, po dy netë çka do të bëjmë këtu dhe çka do t’i them këtij njeriu fisnik. Duke menduar kështu, momentalisht ktheva kokën nga ana tjetër dhe pashë se përballë meje ishte një bukë madhështore. Thashë: “Myzhde o Sulejman! All-llahu i Madhërishëm neve na dha rrizk (rrëzëk, bereqet).” E morëm bukën dhe pamë se nuk e ka prekur ndojnë kafshë e egër apo shpend.....etj..
Këto janë anët e bereqetit që vijnë nga All-llahu (xh.sh.), të cilat nuk sosen kurrë. Por mos mendoni se këto që ju them janë lavdërime. T’ju them edhe këtë se kam një pulë, që në mes të dimrit pa ndërprerje, çdo ditë si një makinë bën vezë. Biles një ditë më ka bërë dy të tilla. U habita. Pyeta shokët se a është e mundur një gjë e tillë? Më thanë se sigurisht që është një dhunti e Zotit (xh.sh.).