Më thonë që shkrimet e mia kundërshtojnë qytetërimin laik. Por dua t’u tregoj se me shkrimin tim, qëllimin e kam që të përfitoj vetë. Secilin nuk e ftoj që t’i lexojnë ato. Këto ilaçe të Kur`anit i gjejnë ata që shpirtërisht janë nevojtarë dhe zemrat e tyre janë të plagosura.
Edhe në këtë kohë internimi, po shoh se disa mendjemëdhenj të pasjellshëm, të përlyer në baltën e politikës, më shikojnë me smirë, duke menduar se mos jam edhe unë në rrymën e atyre që vrapojnë pas politikës.
O zotërinj! Unë jam në rrymën e besimit. Para meje është rryma e mosbesimtarëve. Me politikë nuk kam lidhje fare. Tërë jetën time e kam sakrifikuar në të vërtetat e Kur`anit dhe të besimit. Por ata që po merren me mua, le ta dinë se janë duke vepruar në llogari të pabesimit.
Unë them se, meqë kjo botë është e përkohshme dhe meqë mosha është e shkurtër dhe meqë punët e vlefshme janë të shumta, meqë jeta e përhershme këtu do të fitohet, meqë kjo botë nuk është pa Zot, meqë në këtë bujtinën e vizitorëve gjykon një Gjykatës i Gjithëdijshëm dhe meqë nuk do të mbesin as të mirat pa shpërblim dhe as të këqijat pa dënim dhe meqë me sekretin e ajetit:
“All-llahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësive të tij”. (Bakara, 286); nuk jemi të obliguar me atë që s’mund ta përballojmë dhe meqë rruga e sigurtë preferohet ndaj asaj të rrezikshmes dhe meqë vlera e pozitave të kësaj bote vlen vetëm deri tek varri; atëhere me siguri është fatbardhë ai që për jetën e shkurtër, nuk e harron jetën e përhershme, jetën e paskajshme nuk e sakrifikon për këtë të përkohshme dhe nuk e prish jetën e përhershme dhe jetën e kësaj bote nuk e harxhon në vende boshe. Ai duke e pranuar veten si mysafir, të mos kundërshtojë urdhërat e të Zotit të shtëpisë dhe në këtë mënyrë me një besnikëri të madhe mund ta hapë derën e varrit që të hyjë në lumturinë e përjetshme.
c) Shkruarja dhe përhapja e Risale-i Nurit
Bediuzzaman Said Nursiu, Risale-i Nurin e ka shkruar në një gjendje të rrezikshme, që historia nuk njeh ndonjë dijetar tjetër i cili të jetë përballuar me këto vështirësi. Por ai ka mbart një zell, një vullnet të pashuar dhe një dëshirë të madhe për t`i shërbyer kuptimeve të Kur’anit, që i përballon nevojat e këtij shekulli. Ai pa u demoralizuar, pa u lodhur, mes ndëshkimeve të rrepta, pa u shqetësuar, duke shpenzuar të gjithë fuqinë e tij, duke braktisur dëshirat e trupit të tij, është përpjekur në qëllimin e idealit të vet për shkrimin e Risale-i Nurit. Ai ka vrapuar që të shpëtojë besimin e popullit nga përbindëshat e ndryshëm që sulmojnë besimin. Në një vend thotë: “Është e kotë po qe se duan të më rrëzojnë nga syri i popullit për arsye se i shërbej Kur’anit. Ai që mbyll sytë, vetëm vetë nuk sheh, tjetër kujt nuk mund t’i bëjë natë.
Adhuruesit e botës i kaplloi ankthi për një fatkeq si unë, që për veprimtarinë time, duke imagjinuar se kam forcë sa mijëra njerëz, me shumë anë më kanë okupuar dhe nuk më lejojnë që të bëj dy netë bashkë në një vend. Thonë se Saidin nuk e lirojmë, sepse mban fuqinë e pesëdhjetëmijë vetëve.